Martini: Kemi ende shanse për titullin, nuk e merituam humbjen ndaj Partizanit!
Edi Martini në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Laçit foli edhe njëherë për disfatën ndaj Partizanit ndërkohë që analizoi ndeshjen e radhës ndaj kurbinasve. Strategu shkodran beson ende te titulli kampion.
“Normalisht që pas asaj humbje me Partizanin, skuadra s’ka qenë mirë në aspektin psikologjik. Por unë them që ne nuk e meritonim ta humbnim atë ndeshje, djemtë deri në momentin që pësuam kanë bërë ndeshjen më të mirë të sezonit, por goli na penalizoi, na këputi këmbët, i dha zemër Partizanit, që arriti të fitonte. Ne kemi punuar po vazhdojmë të punojmë gjatë kësaj jave, pasi situata është njësoj siç e kishte Partizani detyrim të fitonte ndeshjes ndaj Teutës. Ata luajtën gjithçka për gjithçka, ashtu jemi dhe ne për këtë ndeshje. Jemi në lojë dhe do luftojmë deri në fund.
Pengu më i madh është humbja që pësuam, sepse po luanim mirë po kontrollonim lojën. Kishim raste shënimi dhe pësuam një gol që nuk duhet ta pësonim, ja dhuruam vetë pas një gabimi tonë, ky është pengu më i madh. Është një vit që ekipi ka bërë mjaft mirë në pjesën më dërrmuese të kohës, kështu që humbja është ajo që më shqetëson më tepër”.
Gara për titull? Shpresat janë shumë herë më të mëdha pasi Partizani ka dhe dy ndeshje, njërën më të vështirë se tjetrën. Luan këtë javë më Vllazninë dhe javës tjetër në Ballsh, kështu që është e detyruar të marrë dy fitore. Në do shohim punën tonë, të fitojmë në Laç, të bëjmë më të mirën, të marrim tri pikët dhe të shkojmë deri në javën e fundit të kampionatit.
Laçi? Ky kampionat është bërë i pabesueshëm, nuk e di në çdo moment se si mund të shkojë ndeshja. Nëse do fitojë ose do barazojë Vllaznia, ky kampionat futet në një rrjedhë që do zgjidhet në ditën e fundit. Teuta është barazim me Laçin deri më tani. Në dy ndeshjet në Durrës ne kemi bërë lojë mjaft të mirë, ndërsa në Laç kemi luajtur më mirë kundërshtari. Gjithsesi, kjo është një ndeshje që duhet luajtur dhe fituar. Ne do hyjmë në fushë me mendimin për ta fituar ndeshjen, pastaj do shohim çfarë sjell fusha lojës”, tha Martini.