Mbappe fiton gjyqin me PSG, klubi francez duhet t’i paguajë 61 milionë euro
Një muaj pas një seance të tensionuar gjyqësore, ka ardhur vendimi në çështjen ligjore mes Paris Saint-Germain dhe Kylian Mbappé. Kapiteni i Francës ka dalë fitues në përplasjen me ish-klubin e tij, të cilin e kishte paditur për mos-shlyerje pagash dhe shpërblimesh pas përfundimit të kontratës në verën e vitit 2024.
Gjykata e Punës në Paris (Conseil des prud’hommes) ka vendosur që PSG t’i paguajë Mbappé-së një shumë prej afro 61 milionë eurosh. Lajmi është bërë publik nga “Le Parisien”, ndërsa avokatja e sulmuesit, Frédérique Cassereau, e ka cilësuar vendimin si një fitore të qartë. Sipas vendimit, ekzekutimi është i menjëhershëm, çka do të thotë se klubi parizien duhet të kryejë pagesën sapo të marrë njoftimin zyrtar të gjykatës.
Në një deklaratë të shpërndarë nga përfaqësuesit ligjorë të lojtarit, theksohet se ky vendim riafirmon parimin se angazhimet kontraktuale duhet të respektohen. Sipas tyre, edhe në futbollin profesionist, ligji i punës qëndron mbi gjithçka. Ata nënvizuan se Mbappé ka respektuar me rigorozitet të gjitha detyrimet sportive dhe kontraktuale për shtatë vite rresht, deri në ditën e fundit, duke tentuar madje të shmangë konfliktin ligjor përmes zgjidhjeve paqësore.
KOHA JONË SONDAZH

