Mbledhje e jashtëzakonshme në Itali, ja hipotezat si do vendoset titulli
Këshilli i jashtëzakonshëm i FIGC (federatës italiane të futbollit) ka mbajtur sot një konferencë urgjente për situatën e koronavirusit pas pezullimit të kampionatit deri më 3 prill. Deri më tani janë 4 hipotezat e mundshme për vijimin e kampionatit në sezonin 2019/20.
FIGC ka marrë 14 ditë më shumë kohë për të vendosur për kalendarin. Vendimi do të merret me 23 mars. Brenda kësaj periudhe secili president i ekipeve do të duhet të dalë me propozime të ndryshme. Lega gjithashtu është në bisedime me UEFA-n për kalendarin për organizimin e Europianit apo dhe të kupat europiane.
Për kalendarin e Seria A janë katër hipoteza, nëse gjithçka do të rikthehet në normalitet pas datës 3 prill. Alternativa e parë është ajo e një faze “play off”. Këtë gjë e ka thënë presidenti i lega pro, Francesco Ghirelli në përfundim të mbledhjes së jashtëzakonshme për emergjencën e koronavirusit.
Një tjetër alternativë nëse vijon gjendja e emergjencës është akordimi i titullit kampion në bazë të klasifikimit aktual. Shumë do të varet edhe nga vendimi i UEFA-s për Europianin, dhe nëse do të shtyhet deri në vitin 2021. Secila hipotezë do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës dhe do të jetë i veçantë për secilin nga ligat. /R.Lika-Koha Jone/