Mbrëmje historike në “Air Albania”, “Shqiponjat” sfidojnë Poloninë e Lewandowskit

Mbrëmja e madhe erdhi për Kombëtaren tonë. Në “Air Albania Stadium” kuqezinjtë do të kërkojnë sigurimin e vendit të dytë që na kualifikon në fazën “Play Off” të Kupës së Botës Katar 2022. Një ëndërr e madhe për çdo sportdashës shqiptarë në të gjithë botën.

Përballë do të jetë Polonia e Lewandowskit, e themi kështu pasi ai është dhe kërcënimi kryesor për portën e Kombëtares sonë. Sulmuesi i Bayernit ka qenë një makineri e vërtetë golash në sezonet e fundit, por të polakët ka pasur edhe ulje-ngritje për shkak të cilësive të ndryshime që kanë futbollistët e tjerë.

Në Kombëtaren tonë do të mungojnë Cikalleshi, Balaj, Çekiçi si dhe Gjimshiti në repartin e mbrojtjes. Mbrojtësi i Atalantës mund të quhet dhe si mungesa më e madhe për shkak të cilësive të jashtëzakonshme që ka dhe faktit që do të ishte lojtari që do të mbulonte Lewandowskin. Gjithsesi edhe Federic Veseli ka treguar se mund të bëjë ndeshje të mëdha.

Për të kaluar te atmosfera, që do të jetë vërtetë spektakolare. Kjo do të jetë hera e dytë që stadiumi “Air Albania” do të jetë i gjithi i mbushur që pas sfidës hapëse kundër Francës, një vit më parë. Dueli do të startojë në orën 20:45 dhe do të transmetohet nga kanali shtetëror RTSH si dhe nga platforma Digitalb (falas). Nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese shqiponjave në mbrëmjen që na mban “gjallë” ëndrrën e madhe. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP