Mbrojtja e dobët dhe sulmi i fortë, Reja ka ende shumë punë te kombëtarja
Shqipëria nuk mundi që të shkonte më shumë se një barazim 2-2 ndaj Andorrës, duke zhgënjyer jo pak në një ndeshje ku fitorja ishte thuajse një detyrim për të arritur në kuotën e 15 pikëve, që do të ishte një rekord për kuqezinjtë tanë. Edy Reja bëri disa ndryshime në formacion duke menduar edhe për ndeshjen ndaj Francës, e cila do të luhet pas një kone të shkurtër, këtë të diel në mbrëmje.
Në “Elbasan Arena”, kombëtarja jonë shfaqi të njëjtat probleme si gjithmonë ndaj kundërshtarëve më të dobët në letër. Nënvlerësim dhe impenjim jo i duhur për të marrë maksimumin nga një ndeshje e tillë. Edhe pse lojtarët dhe trajnerët pas ndeshjes u shprehën se e kishin vlerësuar maksimalisht Andorrën, një gjë të tillë nuk e tregoi aspak fusha e lojës. Mungesë agresiviteti në repartin e mesfushësë dhe probleme të shumta në repartin e mbrojtjes.
Mbrojtja “fut ujë” – Le të ndalemi pikërisht te reparti difensivë. Edhe pse emrat në fakt janë shumë premtues, pasi luajnë në një nga kampionatet eksperte si Seria A. Ditën e djeshme u aktivizuan Gjimshiti, Veseli dhe Ismajli në mbrojtje, por secili prej tyre bënë gabime të shumta në të dyja golat duke lënë krejtësisht të lirë në zonë Martinez, i cili shënoi dopietë. Shqipëria ka mbrojtjen e tretë më të dobët në grup, duke pësuar 12 gola në 9 ndeshje deri më tani. Vendosja me tre duket se lë shumë hapësira në prapavijë, pasi mbrojtësit e krahut në një vendosje të tillë shpesh herë lënë shumë hapësira në krahë.
Sulmi, pika e fortë– Një nga lëvizjet më të mira të trajnerit Reja ka qenë padyshim reparti i sulmit. Me dy sulmues kombëtarja jonë është shumë më e rrezikshme, por mbi të gjitha arrin që të gjejë golin në vazhdimësi. 10 gola kemi realizuar në 4 ndeshjet e fundit, ndërkohë që në total Shqipëria ka shënuar 16 gola, po aq sa edhe vendi i dytë që mbahet nga Turqia. Rey Manaj është futbollisti më i spikatur në ndeshjet e fundit, ndërkohë që Cikalleshi dhe Balaj kanë shpërblyer më së miri besimin e strategut italian në sfidat që janë aktivizuar.
Mesfusha, pa identitet – Në mungesë të Gjasulës reparti i mesfushës është shumë difektoz. Mesfushori i afruar pas ardhjes së Rejës ka arritur që të ofrojë shumë ekuilibër në këtë repart, ndërkohë që edhe mungesa e Xhakës është ndjerë mbrëmjen e së enjtes ndaj Andorrës. Ramadani dhe Ndoj treguan se ende nuk janë gati për të qenë titullar në ekipin kombëtar, ndërkohë që Bare duket se është i pazëvendësueshëm në rolin e mesfushorit të orientuar drejt krahut të djathtë. /Rozalb Lika-Koha Jone/