Mbyllet gara, Skënderbeu kampion, festë “e çmendur” në Korçë
Mbyllet sezoni në një atmosferë festive në Korçë. Bardhekuqtë e Mirel Josës siguruan titullin e pestë radhazi kampion dhe të gjashtin në historinë e këtij klubi. Mes një atmosfere elektrizuese ekipi i Skënderbeut ngre lart në qiell trofeun që këtë vit e ka munduar më shumë se çdo sezon tjetër. Drejtuesit e klubit në bashkëpunim me tifozerinë e tyre ishin kujdesur për një mbrëmje perfekte dhe ashtu ndodhi. Menjëherë pas fërshëllimës së gjyqtarit të ndeshjes së fundit ndaj Vllaznisë ka shpërthyer festa e korçarëve e cila vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka i dorëzoi kapitenit Bledi Shkembi medaljen dhe pasi iu afrohet shokëve, ai ngre lart trofeun e pestë radhazi edhe si lojtar i këtij ekipi. Një triumf mëse i merituar i Skënderbeut.
Ecuria
Presidenti Ardian Takaj, me investimet e tij prej tre sezonesh siguroi titullin e tretë radhazi. Dy të parët u fituan nga paraardhësi i tij, Agim Zeqo. Edhe trajneri Mirel Josa menaxhoi me sukses edhe momentet e vështira kur të gjithë mendonin se Skënderbeu është në krizë. Por ishte titulli i pestë radhazi për kapitenin Bledi Shkëmbi, emblemën e kësaj skuadre, e po ashtu edhe për portierin Orges Shehin e Renato Arapin, që, askush si ata në futbollin shqiptar, nuk ka shijuar suksese të tilla. Pa rolin e Vangjelit, Berishës, Prognit, Lilajt, Radas, Osmanit,Latifit , por edhe Olayianikës që u detyrua të lërë në mes misionin për shkak të pezullimit e lojtarëve të tjerë të kësaj skuadre, Skënderbeu nuk do të kishte këtë sukses. Plot 58 gola të shënuar, Skënderbeu e mbyll si sulmi i dytë më i mirë i kampionatit me vetëm një rrjetë më pak se Kukësi. Me vetëm 18 gola të pësuar, mbetet mbrojtja absolutisht më e mirë e këtij sezoni. Plot 24 fitore, 7 barazime dhe vetëm 5 humbje . Janë këto statistikat e skuadrës që triumfoi në një nga kampionatet më të rivalizuar të historisë, me “vulën e artë”, pasi ky është trofeu i larë në ar, është titulli i pestë radhazi kampion.
Ndeshja
Ndeshja e fundit e kampionatit përballë Vllaznisë, u kthye në një spektakël. Banderola me të gjithë titujt e kësaj epoke, në fushë paradë nderi me protagonistët e saj, me Ardian Takajn, Mirel Josën dhe ekipin e Skënderbeut që u shpallën “Qytetarë Nderi” të Korçës para ndeshjes me Vllazninë. Skuadra shkodrane në fakt nuk bëri ndonjë gjë më tepër se atë që ishte realisht, të ftuarën në festë dhe kronika e ndeshjes shikon, tifozët që festojnë që në minutën e 11-të golin e Bernard Berishës që edhe një herë është aty ku duhet për të përfituar nga topi i kthyer pas goditjes së Latifit. Në minutën e 42-të vjen edhe goli Prognit që merr një krosim nga Vangjeli dhe kontrollon mirë atë, gjuan për të shfaqur pjekurinë që ka fituar në Korçë në sezonin që gjeti titullin kampion, pasi e kërkoi pa sukses në Vlorë e Kukës. Ndeshja mbyllet 2-0 dhe Korça kthehet e tëra në festë.
Bakaj shpëton Tiranën, ka ende shpresë për Europën
Tirana arriti të kalojë minimalisht 1-0 ekipin e Teutës në “Qemal Stafa”, duke i vendosur kështu “kapakun” një sezoni të trazuar e pa trofe, me shpresë për të prekur një vend në Europa League. Me sigurimin e vendit të katërt, falë golit të Elis Bakaj pas plot 82 minutash, Kukësi duhet të mposhtë Laçin në finalen e Kupës së Shqipërisë, në ndeshjen që do të luhet javën e ardhshme për t’i hapur rrugën kështu kualifikimit të Tiranës për në Europë. Por Tirana tashmë duhet të presë nga ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë. Kukësi e mbylli në vend të dytë dhe fitoi automatikisht pjesëmarrjen në Europa League. Por verilindorët janë edhe në finale të Kupës së Shqipërisë dhe do të ndeshen me Laçin. Nëse fiton Kukësi finalen, një biletë e Europa League shkon për vendin e katërt të kampionatit, që është Tirana. Por nëse fiton Laçi, ndonëse mban vendin e pestë në kampionat, me trofeun e kupës shkon automatikisht në Europa League. Kështu, Tirana do të bëj tifo për Kukësin, në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe vetëm fitorja e kësaj skuadre i jep të drejtë të shpëtojë sezonin. Bardheblutë gjithsesi, duke qenë se Kukësi e synon për herë të parë këtë trofe, nuk i kanë humbur shpresat.
Partizani i treti, më Elbasanin “thjesht një formalitet”
Partizani në Europë dhe Elbasani bie nga kategoria. Në fakt Elbasani kishte rënë prej kohësh ndaj edhe ndeshja e djeshme ngjasonte më tepër me një miqësore. Pas dia përpjekjeve goli i Partizanit vjen në minutën e 28-të dhe mban firmën e një qendërmbrojtësi. Goditje nga distanca që shkon aty ku nuk mund të arrijë portieri verdheblu, dhe shënon Gëzim Krasniqi golin e parë sezonal në javën e fundit të kampionatit. Skenari nuk ndryshon edhe me avantazhin te skuadrës së Duros, kërkon lavdinë edhe Mentor Mazrekaj që i mohon gëzimit të golit vetëm shtylla. Pas jë trau të goditur nga Krasniqi, goli i dyfishimit vjen në minutën e 57-të, nga Dorian Bylykbashi i cili shënon me specialitetin e tij goditjet nga distanca. Është pikërisht Fazlliu ai që shënon duke thelluar diferencën dhe 3-0 mjafton që të kuqtë ta mbyllin kampionatin me nder ndonëse nuk fituan titullin kampion. Partizani mban vendin e tretë dhe siguron Europa League. Elbasani i thotë lamtumirë Kategorissë Sueriore me shpresën për t’u rikthyer sa më shpejt në elitën e futbollit shqiptar.
Kukësi e mbyll në vend të dytë, me sytë nga kupa
Për të tretin vit radhazi Kukësi është shpallur nën-kampion Shqipërisë. Verilindorët triumfuan me rezultatin 2-1 ndaj Flamurtarit në ndeshjen e fundit të kampionatit duke e mbyllur edhe këtë sezon të kategorisë Superiore në vendin e 2-të. Me 75 pikë të grumbulluara, 23 fitore 6 barazime dhe 7 humbje me një goleavarazh 59-27, Kukësi mbyll një sezon mungon ku vetëm titulli kampion. Në stadiumin Flamurtari ndeshja nisi disi e qetë. Në të 51-tën Lena vuri në vështirësi Halilajn me një goditje nga distanca por vetëm pak sekonda më vonë ishte formacioni i trajnerit serb Miodrag Radanovic ai që kaloi përpara. Vilfor Hysa nuk e kishte të vështirë të dërgonte në rrjetë një top të krosuar nga Pit nga e majta e sulmit të Kukësit duke i dhënë avantazhin skuadrës mike. Për t’i vënë vulën fitores së Kukësit mendoi i riu Julian Gjinaj që në tentativë për të larguar topin e dërgoi atë në rrjetën e tij, në minutën e 86-të, pas një avancimi të brazilianit Pit. Në Vlorë sfida u mbyll një gol të Flamurtarit. Një aksion model i kuqezinjëve u finalizua nga Dejvi Bregu. Ky ishte goli i 5-të i talentit vlonjat në Superiore. Përfundimisht 1-2 për Kukësin që siguroi për të tretin vit radhazi vendin e dytë në kampionat ndërsa për Flamurtarin ky ishte një sezon që duhet harruar sa më shpejt.
Laçi shpartallon Apoloninë, por kërkohet Kupa për Europën
Laçi shpartalloi Apoloninë në Fier, 1-4, në një ndeshje pa shumë emocione. Vendasit që kishin rënë në një kategori më poshtë nuk bënë përpjekje për të ndalur Laçin që nuk e diskutoi fitoren, por shpresonte më tepër në ndonjë hap të gabuar të Tiranës ndaj Teutës. Tashmë, Laçi, pavarësisht fitores, për të prerë një biletë në Europa League, duhet të fitojë edhe finalen e Kupës së Shqipërisë, që të kokurojë sërish në Kupat e Europës.
Kategoria Superiore
Java e 36-të/ Sot
Vllaznia-Skënderbeu 0-2
Flamurtari-Kukësi 1-2
Elbasani-Partizani 0-3
Tirana-Teuta 1-0
Apolonia-Laçi 1-4
Klasifikimi
Skënderbeu 79
Kukësi 75
Partizani 73
Tirana 71
Laçi 69
Flamurtari 38
Vllaznia 35
Teuta 29
Apolonia 25
Elbasani 14
KOHA JONË SONDAZH

