Mckennie për median shqiptare: Ndaj Mlanit na pret një betejë, duam vetëm fitoren!
Në prag të sfidës kundër Milanit, mesfushori i Juventusit Weston McKennie ka dhënë një intervistë ekskluzive për platformën shqiptare Oversport. Ai tregoi se çfarë pret nga ndeshja e sotme, si dhe performacat e mira që është duke zhvilluar në ndeshjet e fundit.
Pas humbjes në Superkupë, skuadra ka reaguar mjaft mirë duke marrë një fitore të rëndësishme ndaj Udineses, e cila ju ka afruar me vendin e katërt. Si e keni përjetuar këtë moment në dhomat e zhveshjes?
Mendoj se ishte një nga ato ndeshje ku u zhgënjyem shumë, një nga ato sfida që mund t’i humbasësh ndoshta 2 herë në karrierë, ose tre herë. Humbëm në goditjen e fundit dhe në minutën e 120-të. Por ne ishim skuadër, pavarësisht se shumë njerëz pyesnin në fundin e sfidës pse Sandro e ndali topin në atë mënyrë. Por ne i thamë Aleksit dhe çdo lojtari tjetër që në futboll diferencën nuk e bën vetëm një lojtar. Janë të gjithë për të ndryshuar fatet e një sfide. Ne në dhomat e zhveshjes u zhgënjyem dhe besonim se meritonim më shumë. Por ne gjithashtu e dimë që nuk kemi shumë kohë për të menduar për të shkuarën, por vetëm për të ardhmen. Trajneri na tha se duhet të fitonim sfidën e ardhshme për ta harruar diçka të tillë dhe ia dolëm.
Përpara pushimit të dimrit, trajneri kërkoi më shumë gola nga mesfushorët dhe ju jeni përgjigjur mjaft mirë me 2 gola në 3 ndeshje. Çfarë ka ndryshuar?
Nuk e di çfarë ka ndryshuar. Topi më ka ardhur shumë mirë në zonë dhe unë kam lëvizur siç duhet. Kemi shënuar më shumë gola kohët e fundit dhe kjo është diçka shumë pozitive. Po vuanim në këtë aspekt në fillimin e sezonit. Është rritur shumë bashkëpunimi mes futbollistëve dhe besimi. Ne tani e kuptojmë më lehtësisht kur një lojtar kroson, kur duhet të vrapojmë. Është merita e të gjithë skuadrës që unë kam shënuar këto 2 gola.
Do të luani një ndeshje kundër një rivali të fortë dhe historik si Milani. Sfida e parë përfundoi 1-1. Çfarë ka kërkuar trajneri?
Mendoj se për ne janë të njëjtat gjëra që na kërkon çdo ndeshje. Askush nuk e di çfarë mund të ndodhë në fushën e lojës, apo mënyrën se si do të luajë kundërshtari. Ndoshta mund të kenë një ditë të mirë ose të keqe. Ndoshta edhe ne mund të kemi një ditë të mirë apo të keqe. Por një nga gjërat që ai na kërkon është që të japim jetën në fushë dhe të arrijmë limitet. E di se kjo ndeshje është një betejë, ka shumë rivalitet dhe është një derbi. Duam ta fitojmë patjetër, të luftojmë dhe të përfitojmë nga rastet që do të kemi.
KOHA JONË SONDAZH

