Më i kritikuari nga tifozët, flet Hysaj: Nuk vij për pushime, jap maksimumin! Me Spanjën do ta provojmë
Pas ndeshjes me Italinë, mbrojtësi shkodran Elseid Hysaj u vë përballë një kryqëzimi në rrjete sociale nga tifozët, por sot është shfaqur i buzëqeshur pas barazimit me Kroacinë. Ai i është përgjigjur kritikëve jo vetëm në fushën e lojës, por edhe pas ndeshjes duke thënë se me kombëtaren jep gjithmonë maksimumin.
“Ndeshja sot tregoi se mund ta kishim fituar, por edhe barazimi nuk ishte keq. Mbas të gjithë asaj që ka ndodhur, unë do të duhej të reagoja. Unë nuk vij për të kaluar kohën, por për të bërë maksimumin. Jam krenar që jam shqiptar. Duhet ta provojmë me Spanjën. Të japim 100% dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Hysaj pas Kroacisë.