“Me Napolin është mbyllur gjithçka”, agjenti konfirmon largimin e Hysajt
Elseid Hysaj është në muajt e fundit të eksperiencës së tij 5-vjeçare me fanellën e Napolit. Lajmi është konfirmuar edhe nga menaxheri i mbrojtësit shkodran, Mario Giuffredi, që në një intervistë për mediat italiane ka theksuar se diskutimet për rinovim janë ndërprerë prej javësh.
“Me Napolin është mbyllur gjithçka dhe në fund të sezonit do të vijë zyrtarisht divorci. Një nga klubet me të cilët po flasim është edhe Paris Saint Germain. Kam diskutuar me Leonardon këto ditë dhe është një mundësi, por nuk ka ende asgjë konkrete. Në fund të sezonit do të vlerësojmë alternativat me qetësi.
Nëse Sarri rikthehet në pankinën e Napolit, atëherë gjërat mund të ndryshojnë, por gjithmonë nëse nuk kemi firmosur me ndonjë klub tjetër. Unë jam menaxher i Hysajt dhe kam detyrimin të çoj përpara diskutimet e nisura që në muajin janar, ndaj mund të kemi gjetur një klub tjetër para fundit të sezonit”, deklaroi italiani.
Hysaj iu bashkua Napolit në verën e 2015-ës, bashkë me trajnerin Maurizio Sarri dhe në 6 sezone me fanellën e kaltër, numëron 193 ndeshje të luajtura, gjatë të cilave ka shënuar vetëm një gol.