Më në fund vjen momenti i Brojës, janari do të jetë vendimtar për të tek Chelsea

Armando Broja do të ketë një mundësi të artë, të cilën duhet ta shfrytëzojë. Këtë javë, Nicolas Jackson fluturoi për t’u bashkuar me skuadrën e Senegalit për t’u përgatitur për pjesëmarrjen për Kupën e Kombeve të Afrikës.

Nëse Senegali shkon në finale më 11 shkurt, dhe Chelsea mund Preston North End në ndeshjen e raundit të tretë të FA Cup, sulmuesi mund të humbasë deri në tetë ndeshje te Chelsea.

Në mungesë të senegalezit, Broja, është i vetmi numër 9 te Blutë e Londrës. Christopher Nkunku ka luajtur në katër ndeshje pas dëmtimit në gju, por ende nuk ka gjetur formën më të mirë. Në këtë periudhë, trajneri Mauricio Pochettino duhet të përdorë rregullisht Brojën.

Pas pesë muajve jashtë fushave, sulmuesi i Kombëtares sonë ka luajtur vetëm në 5 ndeshje nga fillimi, ndërkohë që në 9 ndeshje të tjera ka luajtur si zëvendësues. Në total janë 448 minuta, teksa kujtojmë se deri më tani s’ka luajtur asnjë ndeshje për 90 minuta.

Broja ka shënuar vetëm një gol kundër Fulham, 3 muaj më parë, por mundësitë për të në vijim do të jenë më të mëdha. Edhe pse ka shumë zëra që e shohin të largohet në janar, trajneri Pochettino për momentin do i besojë bomberit shqiptar në ndeshjet në vijim në kampionat dhe në Kupë. Vetë Broja dëshiron të gjejë formën optimale për të bindur dhe Sylvinhon që ta grumbullojë në Europian. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP