Mehmeti: Ndaj Dinamos arbitrat ndikuan në rezultat, duhet të jemi më cinik
Partizani pret Kukësin në Air Albania, me të kuqtë që do të kërkojnë të rikthehen te tre pikët pas ndalesës së javës së fundit me Dinamon. Në konferencën për shtyp, trajneri i kryeqytetasve, Dritan Mehmeti theksoi se skuadra duhet të jetë më efikase para portës, ndërsa shtoi se arbitrat ndikuan në rezultatin ndaj Dinamos.
“Është e vështirë të gjykoj arbitrin, janë evidente gabimet se ndikojnë në rezultat se ishte në minutën e gjashtë që nuk na u dha një penallti. Ndodhi edhe në minutën e 40. Më pas unë gjykoj sjelljen e skuadrës në fushë. Junior ka eksperiencë dhe luan larg portës ndërsa Skuka është i ri dhe prodhon, por duhet të jetë më efikas para porte dhe të jetë më altruist.
E respektojmë skuadrën e Kukësit se ka element të mirë, çdo kundërshtar na imponon respekt dhe mendoj që nesër do të jetë një tjetër histori. Kemi përgatitur të marrim masat për pikat e forta dhe të dobëta të Kukësit për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje.
Ne stërvitemi për të fituar se jemi Partizani dhe filozofia jonë është që skuadra të jetë imponuese në fushë. Shpresoj të jetë një futboll i hapur dhe i shpejtë, skuadra duhet që të mos i japë iniciativë kundërshtarët dhe të jemi ne që vendosim rezultatin.
Hadroj ka pasur probleme të vazhdueshme, Skuka ka pasur një goditje në shpatull në ndeshjen ndaj Dinamos. Sot do të vendosim për Hadroj por ai rrezikon. Çdo ndeshja ka historinë e saj dhe nuk duhet merremi me kundërshtarin nëse ka bërë mirë apo keq, ne duhet të jemi cinikë dhe të kemi mentalitet fituesi ndaj çdo kundërshtari. Të mësojmë nga gabimet tona se kemi shpërdoruar shumë dhe të mos arrish të konkretizosh është pak e vështirë. Nuk duhet të kemi probleme në finalizim.
Unë skuadrën dhe formacionin e bëj në varësi të kundërshtarit por edhe cilësive që kemi, Kallaku mund të japë pasimin e fundit. Skuka në zona të ngushta e ka pak të vështirë, është i ri dhe nuk e ka të lehtë të përshtatet.
Mala është shumë i mirë në aspektin teknik dhe krijon epërsi numerike dhe janë manovra të cilat jam munduar t’i aplikoj. Dinamo u tërhoq shumë mbrapa, kjo është vështirësia e futbollit pasi duhet gjetur rruga jo vetëm kur kundërshtari lë hapësira. Lojtarët duhet të kuptojnë që të jenë të duruar, pasi nxitimi të dërgon në gabim”, u shpreh Mehmeti.
KOHA JONË SONDAZH

