Mehmeti: Nuk jam i përkohshëm, mora drejtimin për ta nxjerrë Partizanin nga situata
Dritan Mehmeti foli para medieve ditën e sotme për zgjedhjen e tij si trajner i Partizanit. 42-vjeçari theksoi se e ka marrë këtë detyrë pasi e njeh shumë mirë ambientin e kuq dhe mund të japë kontribut për daljen nga situata ku ndodhet Partizani.
“Në radhë të parë duhet të falënderoj drejtuesit, presidentin dhe drejtorin e përgjithshëm për besimin që më dhanë për të drejtuar një skuadër legjendë me një tifozeri të mrekullueshme, që ka bërë maksimumin edhe kur klubi ka përjetuar vitet më të errëta. Unë dhe lojtarët do të bëjmë maksimumin që ta meritojmë këtë fanellë. Unë jam i familjes dhe te Partizani nuk më lidh ana financiare por marrëdhëniet dhe respekti që kam për klubin, për ngjyrat e kësaj skuadre për tifozët dhe marrëdhëniet që kam me presidentin.
Skuadra ka bërë mirë dhe për këtë duhet falënderuar edhe trajneri Daja, që ka dhënë më të mirën për Partizanin. Puna matet me rezultate dhe kërkohet edhe fati. E kërkoj me ngul bashkëpunimin, të gjithë janë të rëndësishëm. Nuk është vetëm trajneri që mund t’i japë zgjidhje situatës, por të gjithë bashkë, drejtuesit, staf lojtarë dhe tifozë. Partizani ka pasur oshilacione në lojë, por ka bërë dhe mirë. Kjo situatë nuk i shkon Partizanit, shkalla e vështirësisë është e madhe, por unë bashkë me çunat do t’ia dalim.
Për mua objektiv është ndeshja e radhës. Kam qenë afër skuadrës dhe kam besim te puna e mirë që po bëhet nga drejtuesit për të vënë pikat mbi “I”. Do të bëjmë të pamundurën për të arritur fleksibilitetin e duhur në marrëdhëniet lojtarë-klub-tifozë. Si pjesë e familjes besoj se e kam më të lehtë, sepse e njoh mentalitetin e futbollistëve. Do të punojmë edhe me ata më të rinj që ta kuptojnë rëndësinë e fanellës që mbajnë veshur.
Skuadra ka nevojë të përforcojë boshtin, në qendër të mbrojtjes, mesfushë dhe sulm. Jam bashkëpunues, në varësi të elementëve që do të kem, do të bëj më të mirën. Jam i familjes dhe kam marrë detyrën për ta nxjerrë Partizanin nga situata, por nuk jam i përkohshëm. Titulli? E kam javën e parë, më pas do të flasim sërish për titullin”, deklaroi Mehmeti.
KOHA JONË SONDAZH

