Mehmeti para Kastriotit: Fitorja të jep bonus emocional, i kemi marrë masat ndaj tyre
Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, para ndeshjes me Kastriotin ka dalë para mediave dhe u është përgjigjur pyetje të gazetarëve.
“Është e vërtetë që nuk luajtëm mirë pjesën e parë me Egnatian. Çdo ndeshje ka historinë e saj. Skuadra kishte kohë e shkëputur nga një ndeshje dhe ndikon, plus që vinim nga një ngërç psikologjik.
Jemi munduar të vëmë pikat mbi ‘i’ pas asaj ndeshjeje. Edhe kur fiton duhen nxjerrë mësime, pasi nuk interpretuam siç duhet. Gjithsesi skuadra tregoi forcë karakteri në pjesën e dytë dhe u fut në ritmin e duhur dhe në filozofinë që unë kërkoj dhe i shkon për shtat Partizanit.
Gjithmonë fitorja të jep bonus emocional grupit. Duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi kemi bërë vetëm detyrën ndaj Egnatias. Skuadra është përgatitur me ritmin e duhur. E kemi vlerësuar skuadrën e Kastriotit, edhe ajo vjen nga një fitore e merituar me kampionen në fuqi. Nesër duhet të jemi serioz dhe konkretë, pasi çdo ndeshje ka rëndësinë e vet.
I kemi marrë masat. Kastrioti ka ndryshuar jo vetëm stafin teknik, por edhe disa elemente. Këtë e tregon edhe fitorja me Teutën, pasi kanë ndryshuar filozofinë e lojës. Megjithatë ne jemi Partizani dhe kërkojmë fitoren.
Kallaku? Cilësitë e tij dihen, është integruar me grupin dhe mendoj se nesër do të jetë një pjesë kryesore e formacionit. Akoma nuk e kemi vendosur nëse do të luajë nga fillimi apo jo. Merkato e janarit nuk sjell shumë elemente, është e vështirë të godasësh dhe të gjesh atë që ti kërkon. Klubi ka punuar shumë dhe jemi gjithë kohën duke punuar për të gjetur një sulmues. Kjo është shumë e vërtetë.
Çdo fitore ka rëndësinë e vet. Është shumë e rëndësishme ndeshja e radhës. Ky është objektivi im kryesor. Aty duhet të fokusohemi. Çdo ndeshjen vlen për të kapur ritmin e duhur. Me Partizanin nuk para nënshkruaj kontrata. E kemi bëtë një të tillë. Normalisht do të dua të shkojmë sa më lart. Mua më kënaq fitorja e nesërme”, u shpreh Mehmeti.