Mehmeti: Vuajmë në finalizim, jemi në tratativa me një sulmues dhe një mesfushor
Partizani u ndal në barazim pa gola ndaj Kastrioti në sfidën e javës së 17-të të luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”. Trajneri Dritan Mehmeti nuk arriti të merrte fitoren e dytë radhazi në krye të skuadrës. Pas ndeshjes strategu evidentoi problemet që ka ekipi i tij në finalizimin e aksioneve.
“Nuk e kemi ndjerë presionin, e dinim që Kastrioti do të provonte kundërsulmin dhe skuadra duhej të ishte e qetë se ndeshja nuk fitohet që në minutën e parë. Kemi vuajtur në pasimin e fundit se kërkuam fitoren me ngulm, ekipi duhej të ishte më i qetë.
Vuajtëm në finalizim si në pjesën e parë, por edhe në të dytën. Skuka e ka vitin e parë që debuton në Superiore dhe nuk ka ende eksperiencën. Skuadra duhet të ketë besim dhe qetësi. Nuk thashë tension, por nuk ishim të qetë në pasimin e fundit. Kërkuam më shpejt seç duhet zgjidhjen e ndeshjes, është ngërç psikologjik. Kemi luajtur në gjysmëfushën e kundërshtarit dhe me këto ekipe duhen lojtarë driblues dhe efikas brenda zonës.
Me një ndërrim të detyruar siç ishte Bitri ndikon sepse edhe Kallaku ka punuar mirë. Kallaku edhe Skuka janë rishtas te Partizani dhe janë munduar të bëjnë më të mirën, por ka të bëjë shkalla e vështirësisë për t’u sinkronizuar me skuadrën. Nuk është e lehtë se një ndërrim i detyruar të prish manovrën, por sot duhej të ishim më fanatikë dhe agresivë”.
Merkato? Kemi kontakte për një sulmues numër nëntë dhe një mesfushor. Besoj se me këto do ta mbyllim merkaton, kjo është shumë e nevojshme, u pa edhe sot”, deklaroi Mehmeti.
KOHA JONË SONDAZH

