Memelli flet para klasikes me Tiranën: S’më intereson situata e tyre, jemi të uritur për fitore!
Trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli foli në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së rëndësishme me Tiranën, nesër në orën 18:00 në Kukës Arena. Trajneri i kuqebluve, shtoi se skuadra do të kërkojë maksimumin nga ky takim dhe se nuk kishte dëshirë të komentonte situatën te kundërshtarët.
“Është ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Dëshira ime ishte që të luhej në një stadium në Shkodër ose në Tiranë. Por në kushtet kur ne kemi mbjellë barin e stadiumit është zhvendosur në Kukës, çka do të thotë që pritshmëria e terrenit nuk do të jetë në atë nivel që duhet. Gjithsesi ne si staf, lojtarët jemi të angazhuar që të bëjmë maksimumin në këtë ndeshje dhe të dalim me pikët e plota. Ajo çka është për t’u vlerësuar është që kemi dhe dy rikthime në skuadër, që po i shikojmë me kujdes.
Ndryshimi i trajnerit? Nuk jam i lumtur që të komentoj asgjë për kampin bardheblu. Gjendja është e mirë. këto dy rikthime do të na japin mjaft oksigjen për të bërë gjërat siç duhet në fushë, edhe e Smajlit edhe e Ersinit. Edhe pse nuk kanë shumë kohë me skuadrën, besoj se janë dy prurje shumë të rëndësishme, lojtarë që kanë kualitet dhe skuadra i njeh mjaft mirë. duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse nuk duam që të rikthejmë asnjë dëmtim nga ajo që djemtë kanë pasur dhe t’i kemi pastaj për të gjithë sezonin.
E vështirë sepse do të jetë impakti i parë për njohjen e ambientit. Gjithsesi do të jemi të fokusuar për të bërë maksimumin në këtë ndeshje. Fokusohemi te gjërat që duhet të bëjmë. Duhet të fokusohemi te kundërshtari. Pra duhet ta fillojmë nga vetja edhe pse ndeshje e vështirë. Gjithsesi me impenjimin e duhur të djemve dhe me atë procesin që kemi bërë gjatë këtyre dy-tre ditëve jemi në lartësinë e duhur për të bërë maksimumin dhe për të marrë gjithashtu maksimumin në këtë ndeshje.
Nuk di ta vlerësoj situatën e Tiranës. Uria është edhe në kampion tonë. nuk kam dëshirë të merrem shumë me kundërshtarin sepse ju kam thënë ditët e para që Tirana është një skuadër e dashur për mua edhe problematikat e tyre mua nuk më interesojnë shumë. Jam i impenjuar që të bëj maksimumin me skuadrën e Vllaznisë. T’i japim dhe t’i marrim maksimumin njëri-tjetrit, pra lojtarët dhe stafin, edhe tifozët bashkërisht. Pastaj t’i shikojmë gjërat me pozitivitet sepse në këto raste është më e rëndësishme të fokusohemi te vetja jonë se te kundërshtari”, deklaroi Memelli.