Memelli pas kualifikimit: Krenar për djemtë, tani duhet të shpëtojmë sezonin!

Trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli është shfaqur shumë i lumtur pas kualifikimit surprizues për në finalen e Kupës së Shqipërisë. Korçarët fituan pastër 2-0 ndaj Teutës në Durrës, duke bërë krenar strategun e ri.

“Suksesi i takon vetëm lojtarëve dhe vetëm atyre. E prisja që të bënim një ndeshje si kjo. Në javët e fundit kemi bërë ndeshje të mira. Lojtarët kanë krijuar bindjen se kjo mënyrë lojë na ndihmon për të bërë më mirë. Kur skuadra kundërshtarë e mban shumë topin, bëhet e vështirë. Ia dolëm të menaxhonim mirë avantazhin edhe me 10 lojtarë, pasi një gol i pësuar do na bënte keq. Jam krenar për skuadrën dhe për qytetin.

Kampionati? Sapo i thashë lojtarëve që bënë ndeshje shumë të mirë, por vetëm kaq. Nën fundjavë kemi një ndeshje shumë të rëndësishme, e cila është akoma më e rëndësishme. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe si kjo sot dhe të shpëtojmë sezonin.

Shpresojmë t’ia dalim deri në fund. Kemi në skuadër lojtarë që janë nën 20 vjeç, për t’i shtuar dy lojtarë kyç, Zguro, Meksi dhe Taipi, të cilët ruajnë pjesën e grupit dhe i lartësojnë djemtë e rinj. Berishës nuk i thashë asgjë pas kartonit të kuq. Është djalë i ri dhe i duhet kurajo. Ai e bëri punën e tij dhe i thashë që tani i takonte skuadrës ta dërgonte në finale”, tha Memelli.

SHKARKO APP