Memushaj: Nuk ka rëndësi kush luan dhe shënon, unë jam gjithmonë gati!

Ledian Memushaj, një nga veteranët e Kombëtares, ka meritë të veçantë për sakrificën dhe impenjimin në sfidën kundër bjellorusëve dhe arritjen e objektivit të vendit të parë. Duke folur pas ndeshjes, mesfushori vlonjat e cilësoi të rëndësishëm rezultatin, ndërkohë që sipas tij e ardhmja mund të jetë pozitive.

“Jam i kënaqur që kemi arritur objektivin. Kemi bërë një lojë të mirë, edhe pse në fund rrezikuam për shkak të gabimeve tona. Rëndësi ka të fitonim, të dilnim të parët. Nuk ka rëndësi kush luan dhe shënon. Kam një moshë që nuk mendoj më për këto gjëra.

Trajneri donte të vija edhe në ndeshjet më përpara, por kam pasur një dëmtim. Më tha kam nevojë. Unë jam gjithmonë gati. Trajneri është njeri shumë i mirë, kam kontakte, flas me të. Nuk mendoj për të mirën time, por mendoj për të mirën e klubit dhe Kombëtares. Jam i kënaqur sepse ka lojtarë të rinj me shumë kualitete.

Laçi, Selahi, Bare, janë shumë të rëndësishëm dhe do të rriten akoma më shumë. Të mirat e kësaj Kombëtareje, do t’i shikojmë më pas. Godas keq me të dyja këmbët, por njësoj”, u shpreh Memushaj.

SHKARKO APP