Mërgjyshi gati të qëndrojë te Apolonia, e ardhmja nga talentët Fili dhe Uzuni

Apolonia humbi ndeshjen e fundit me Teutën në Durrës 1-0 dhe ra zyrtarisht në një kategori më poshtë, një javë para se mbyllet kampionati. Trajneri Artan Mërgjyshi është i gatshëm të qëndrojë te Apolonia edhe në Kategorinë e Parë, por vetëm nëse klubi e bind me një projekt për të synuar menjëherë rikthimin e skuadrës fierake në Kategorinë Superiore. Trajneri aktual i Apolonisë , të cilit i skadon kontrata në fund të këtij sezoni, teksa ende nuk është përcaktuar e ardhmja e tij. Mërgjyshi thekson se do të bisedojë me drejtuesit e skuadrës në fund të kampionatit duke u shprehur i gatshëm për të vijuar aventurën e nisur në rast se klubi i konfirmon vullnetin për një projekt që synon ringjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Me rënien nga Kategoria, Apolonia rrezikon të kthehet në një market të preferuar për skuadrat e mëdha me disa nga talentet e ekipit fierak që kanë spikatur me kualitetin e tyre, por klubi ka aplikuar një strategji inteligjente në menaxhimin e kontratave .

Për të ashtuquajturat të mëdha të Superiores nuk do të jetë e lehtë të rrëmbejnë talente si Uzuni apo Fili, pasi lojtarët kanë kontrata afatgjata me klubin dhe te Apolonia synimi është jo vetëm për t’i mbajtur por për të përforcuar skuadrën edhe me futbollistë të tjerë në funksion të ringjitjes në Superiore.

Nga grupi aktual mësohet se detyrimet kontraktuale përfundojnë në fund të këtij kampionati vetëm për Ribaj që është transferuar me formulën e huazimit dhe për Adenkulen, pasi Atandas kontrata i skadon në fund të 2015-ës, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e lidhur me detyrime kontraktuale me skuadrën të paktën edhe për sezonin e ardhshëm. Natyrisht që te Apolonia mund të dëgjojnë ofertat për futbollistët e rinj që spikatën me talentin e tyre, por largimi i tyre do të lejohet vetëm në rast të ofertave me leverdi për arkat e klubit.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?