Merr fund dominimi 9-vjeçar spanjoll, Premier Liga kryeson në UEFA. Superiorja është më pranë fundit
Kampionati anglez i futbollit ka dhënë fund një dominimi 9-vjeçar të klubeve spanjoll në Europë, duke marrë për herë të parë që nga viti 2012 kryesimin në renditjen e UEFA-s. Fitorja e Mançester Junajtid në Lugën e Europës i dha pikët e mjaftueshme skuadrave angleze që të merrnin këtë pozicion në renditjen e kampionateve, pasi më parë sukseset e Realit, Barcelonës apo Seviljes kishin garantuar që Spanja të ishte në majë për disa vite me radhë.
Dominimi anglez në këtë edicion ka qenë i dukshëm pasi Mançester Siti dhe Çelsi janë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve dhe me shanse reale për t’u përballur në finale. Ndërsa Mançester Junajtid dhe Arsenali janë në Ligën e Europës, dhe të dy gjithashtu mund të përballen në finale mes tyre, duke e bërë këtë edicion unik në historinë e turneve të UEFA-s.
Sipas renditjes së UEFA-s, Anglia është në vendin e parë me koeficientin 98.997, ndërsa Spanja e ndjek më 97.425. Ndërsa Italia është e treta me 75.153, duke lënë pas Gjermaninë me 73.570.
Sa i përket renditjes së Shqipërisë, ajo mban vendin e 41-të në Europë me 7.250 pikë. Kurse Kosova, në vetëm 4 edicione ka arritur që të ngjitet në vendin e 48, duke arritur koeficientin 5.833. Kosova dhe Mali i Zi janë të vetmet kampionate në Ballkan që renditen më poshtë se ai shqiptar në klasifikimin e UEFA-s.