Mesfushori francez i Tottenham: Nuk luaj derisa të jetë Mourinho trajner!
Tanguy Ndombele është blerja më e shtrenjtë në historinë e Tottenhamit, teksa skuadra londineze pagoi 62 milionë euro, plus 10 të tjera bonus. Megjithatë aventura e francezit në kampionatin anglez nuk po shkon aspak mirë, sepse fillimisht vuajti përshtatjen me Maurizio Pochettinon, ndërsa tani nuk po arrin të bindë Jose Mournhon që t’i japë një vend titullari.
Tekniku portugez dhe mesfushori mësohet se kanë debatuar ashpër të hënën, fillimisht në fushën e stërvitjes dhe më pas në zyrën e Mourinhos, pasi ky i fundit i kishte theksuar se nuk është ende gati për të luajtur.
“Special One” nuk është aspak i kënaqur me gjendjen fizike të futbollistit, por mbi të gjitha me angazhimin e tij në stërvitje, ndërsa vetë Ndombele ka reaguar ashpër dhe i ka thënë Mourinhos se nuk do të luajë më sa kohë që ai është trajner i Tottenham.