Zbulohen 3 ekipet e para gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë (VIDEO)
Tirana, Kukësi dhe Teuta janë tri skuadrat e para gjysmëfinaliste të këtij edicioni në Kupën e Shqipërisë. Bardheblutë barazuan 1-1 në duelin e kthimit ndaj Besëlidhjas. Xhorxhevic shënoi një gol spektakolar në fillimin e pjesës së dytë, por bardheblutë barazuan me Mucin në fundin e kohës shtesë. Gjithsesi ekipi i Egbo kaloi në fazën tjetër falë fitores 5-1 në ndeshjen e parë.
Kukësi fitoi me lehtësi edhe ndeshjen e kthimit ndaj Apolonisë në shifrat 3-1. Verilindorët gjetën dy herë rrugën e rrjetës në pjesën e parë me Lulajn dhe Shkurtajn. Në fillimin e pjesës së dytë, Ethemi shënoi golin e tretë, ndërkohë që goli me penallti i Gjatës për fierakët ishte thjeshtë sa për statistika.
Teuta triumfoi 1-0 ndaj Vllaznisë në duelin e kthimit, duke siguruar kalimin për në fazën tjetër. Ndeshja e parë kishte përfunduar në barazim 2-2. Sfidën e sotme në Durrës e vendosi Arapi në minutën e 76-të, ndërkohë që kuqeblutë luajtën me një lojtarë më pak që nga minuta e 47-të, pas largimit të Shehit. /R.Lika-Koha Jone/