Meta dekoron legjendën e Kombëtares, Ferdinand Lleshin me titullin Mjeshtër i madh

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh” ish-futbollistin e Kombëtares Shqiptare, Ferdinand Lleshi.

Përmes rrjeteve sociale, Meta shprehet se legjenda e “Labinotit” dhe një prej titullarëve kryesorë të “Partizanit” dhe Ekipit Kombëtar, qendërmbrojtësi dhe mesfushori i shquar, Ferdinand Lleshi, ishte  një sportist me personalitet të padiskutueshëm, me cilësi të rralla edhe si golashënues.

Mesazhi i Presidentit Meta

Kënaqësi të dekoroja legjendën e “Labinotit” dhe një prej titullarëve kryesorë të “Partizanit” dhe Ekipit Kombëtar, qendërmbrojtësin dhe mesfushorin e shquar, Ferdinand Lleshi, sportist me personalitet të padiskutueshëm, me cilësi të rralla edhe si golashënues.

Edhe sot e kujtojmë kur falë këtij lideri plot eksperiencë, potencë dhe vizion, “Labinoti” arriti të udhëheqë kampionatin kombëtar deri në fund duke lënë pas jo vetëm tre skuadrat e kryeqytetit, por edhe ekipet më të mëdha të kohës.

Ai njihet jo vetëm si kampion i Shqipërisë me ‘Labinotin’, por edhe si fitues i Kupës së Republikës në një moshë tepër të re dhe si golashënuesi i dytë më i mirë i atyre viteve të lavdishme.

Në shenjë vlerësimi për cilësitë e spikatura në lojën e futbollit, si mesfushor dhe qendërmbrojtës, duke demonstruar në fushën e blertë aftësitë e tij të shkëlqyera të lojtarit profesionist e të suksesshëm, si dhe për kontributin e vyer të dhënë për zhvillimin cilësor të sportit në vendin tonë, i akordova Ferdinand Lleshit, Titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”. ⚽🇦🇱

SHKARKO APP