Migjen Basha: Gati ta çojmë Shqipërinë në Euro 2016
Trajneri Giampiero Ventura e shpërbleu për sakrificat dhe punën e bërë gjatë muajve të dëmtimit duke e surprizuar me një vend titullari dhe mbi të gjitha i dha atij shiritin e kapitenit të Torinos. Migjen Basha luajti titullar ndaj Lazios në messjavë dhe u dëmtua por pa asnjë problem për të qenë gati ndaj Armenisë në ndeshjen e ardhshme eliminatore. Para këtij takimi, vlen fakti se Basha rikthehet triumfues në Seria A, por edhe në kombëtare. Ai mësohet se ka marrë ftesën nga trajneri Gianni de Biasi për ndeshjen eliminatore , Francë 2016, që do të luhet ndaj Armenisë, më 29 mars, në Elbasan. Një rikthim i emocioneve të mëdha për mesfushorin e Kombëtares të cilat Basha flet fillimisht për atë të rikthimit tek Torino. – “Emocionet ishin të mëdha edhe pse nuk e prisja të rikthehesha kaq shpejt. Kam menduar se do më duhet më shumë kohë. Trajneri më futi si titullar ndaj Lazios dhe shiritin e kapitenit nuk e prisja, pasi deri kur arrita te dhomat e zhveshjes nuk e kam ditë, e pashë shiritin aty te vendi im dhe ishte një emocion i madh pasi trajneri e di që kam pas shumë probleme dhe ka thënë që e meritoj shiritin e kapitenit,” – shprehet Basha. Tashmë kalvari i gjatë i dëmtimit është lënë pas, dhe pyetja logjike për të gjithë shqiptarët është nëse Basha ndihet në formë për ndeshjen e 29 marsit me Armeninë. Edhe pse thekson se e pret një ftesë nga trajneri Gianni De Biasi, pasi nuk është zyrtarizuar një e tillë, Basha ndihet gati për të dhënë kontributin e tij me kombëtaren. – “Nuk është e lehtë të operohesh në tre vende me kaviljen, dhe muskujt duan ende kohë por jam kthyer më së mirë në fushë. Ende nuk kam një ftesë zyrtare për ndaj Armenisë, po e pres dhe nëse me vjen një ftesë jam i gatshëm dhe shpresoj të jem pjese e kombëtares, mendoj se jam gati pasi edhe ndeshjen e fundit luajta për 70 minuta,” – theksoi mesfushori. Disa muaj jashtë fushe, Basha ka parë Shqipërinë të rritet, prandaj 28 vjeçari vlerëson hapat e mëdha që ka bërë kombëtarja dhe të rinjtë e afruar nga Gianni De Biasi. Për mesfushorin Migjen Basha gjithçka bëhet me një dëshirë, dhe për një qëllim. –“Shqipëria ka bërë ndeshje shumë të mira. Ndaj Francës, por edhe ndaj Italisë ku u ndëshkuam nga një episod. Futbolli kështu e ka. Kombëtarja ka bërë hapa të mëdha përpara dhe kanë ardhur shumë lojtarë të rinj që kanë dhënë kontribut. Të gjithë duam të arrijmë një qellim, që të gjithë kemi një ëndërr, ta çojmë Shqipërinë në finalet e Europianit.” Ai shton se me Armeninë, kuqezinjtë do të luajnë një ndeshje që duhet ta fitojani me çdo kusht. Edhe për Migjen Bashën misioni do të jetë i vështirë, por aspak i pamundur. –“Ka për të qenë e vështirë, nuk e njoh shumë Armeninë si ekip, por ka pasur rezultate dhe është një skuadër e organizuar. Për mua do të na hapë probleme por besoj se në Shqipëri mund t’ia dalim dhe të fitojmë.” Golin e tij të parë me kuqezinjtë, Migjen Basha e shënoi në mars të 2013 në fitoren 4-1 ndaj Lituanisë. Marsin e 2014 i shënoi Maltës, ndaj edhe këtë mars nuk i dihet, ndoshta radha mund të jetë e Armenisë.
KOHA JONË SONDAZH

