Milan kërkon reagim pas humbjes, Allegri beson te përmirësimi i skuadrës
Pas debutimit zhgënjyes në kampionat, që solli humbjen e parë të Max Allegrit në rikthimin e tij te Milani, kuqezinjtë do të zbresin sërish në fushë nesër në “Via del Mare” ndaj Lecce-s, në sfidën hapëse të javës së dytë të Serie A. Përballë tyre do të jetë skuadra e Eusebio Di Francescos, e njohur për ritmin e lartë dhe lojën agresive.
Gjatë konferencës për shtyp, Allegri ka shprehur vendosmërinë për një reagim të menjëhershëm: “Ka shumë dëshirë për të reaguar pas gabimeve të bëra kundër Cremoneses. Lecce është një skuadër shumë e shpejtë, shumë e organizuar, dhe të luash në Lecce nuk është kurrë e lehtë.”
I pyetur për ditët e fundit të merkatos, trajneri kuqezi është treguar i qetë: “Ditët e fundit të merkatos nuk më trembin, jemi mësuar. Për këtë kujdeset klubi, që po punon për të sjellë lojtarë që na duhen, me synimin që deri në mars të jemi në një pozicion të mirë në renditje.”
Në lidhje me sulmuesin Santi Gimenez, Allegri ka folur me fjalë pozitive: “Santi Gimenez është një lojtar i shkëlqyer. E njoh prej 20 ditësh dhe është e vetmja qendërsulmues që kemi. Presim shumë prej tij.”
Duke folur për ecurinë e ekipit, tekniku livornez theksoi procesin e ndërtimit të skuadrës: “Është e kotë të fshehim realitetin, ekipi është në fazë ndërtimi. Po shohim përmirësime çdo ditë, kanë ardhur lojtarë të rinj, të fortë dhe me perspektivë. Kemi gjashtë muaj për të rritur nivelin dhe për të siguruar një vend të mirë në renditje deri në mars.”
KOHA JONË SONDAZH

