Milan me hap kampioni/ Vetëm Capello në 1994-95 ka bërë më mirë se Pioli
Milani arriti ndaj Sampdorias fitoren e tetë në 10 ndeshjet e këtij sezoni.
Numrat e “Djallit” me të drejtë kanë nisur të trembin rivalët (Interi ka pesë pikë më pak, ndërsa Napoli e Juventusi 6).
Suksesi 1-2 në transfertë vërteton momentin magjik që po përjetojnë djemtë e Stefano Piolit, të cilët edhe kualifikimin në Europa League e kanë siguruar në ndeshjen e parafundit, ndonëse mbetet për t’u parë nëse do ta mbyllin në vendin e parë fazën e grupeve.
26 nga 30 pikët në dispozicion është një rekord i frikshëm që kujton një futboll magjik të së kaluarës: vetëm në sezonin 1994/95 kuqezinjtë, e drejtuar aso kohe nga Fabio Capello, arritën të bënin më mirë në këtë pikë të kampionatit.
Në atë sezon Milani kishte marrë në 10 ndeshjet e para 9 fitore dhe 1 barazim në derbi dhe në fund erdhi kënaqësia e fitimit të “Scudettos” së pestë.
A do të ndodhë e njëjta gjë edhe këtë sezon?
“Edhe rezultatet e kësaj jave na tregojnë se skuadrat e forta po vijnë. Interi, Juventusi dhe Napoli mbeten më të fortët. Si mund të mendoni se Juventusi nuk do të jetë favorit? Si mund të mendoni se Interi nuk mund të luftojë për “Scudetton” deri në fund?”, është shprehur pas ndeshjes me Sampdorian tekniku i Milanit Stefano Pioli.