MILAN – Modriç: “Doja të bëhesha kamarier. Gjyshi im vdiq në luftë dhe shtëpia që dua të riblej”
Luka Modriç, mesfushori i njohur kroat, ka ndarë detaje prekëse nga jeta e tij personale dhe profesionale në një intervistë të gjatë për “Corriere della Sera”. Ai zbuloi se si fëmijë ishte tifoz i Milanit, frymëzuar nga Zvonimir Boban, dhe se gjithmonë kishte menduar se nëse do të largohej nga Real Madridi, Milani do të ishte zgjedhja e tij. Tani, në moshën 40-vjeçare, ai është i gatshëm të fitojë titullin me kuqezinjtë, duke theksuar se te Milani duhet luajtur gjithmonë për fitore.
Modriç shpjegon se sekreti i qëndrimit në majë të futbollit është dashuria dhe pasioni për lojën, duke i konsideruar dietën dhe stërvitjen si dytësore. Ai rrëfeu për origjinën e tij modeste, me babanë punëtor dhe nënën rrobaqepëse, si dhe për gjyshin e tij, Lukën, emrin e të cilit e mban me krenari. Gjyshi u vra nga çetnikët serbë në dhjetor 1991, kur Modriç ishte vetëm gjashtë vjeç, një ngjarje që e detyroi familjen të largohej nga shtëpia dhe të jetonte në kampe refugjatësh. Kjo periudhë e vështirë e formësoi atë si person.
Ai kujton fëmijërinë e tij mes deleve dhe gurëve në Dalmaci, ku beson se mësoi të luante futboll. Një ëndërr e tij është të blejë shtëpinë e gjyshit, e cila u dogj pas vrasjes dhe tani është një rrënojë në pronësi të shtetit, për të ruajtur një pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Nëse nuk do të ishte bërë futbollist, Modriç do të kishte dashur të ishte kamarier, pasi kishte studiuar në një institut hotelerie dhe i pëlqente të shërbente pije. Ai foli edhe për marrëdhëniet e veçanta me trajnerë si Allegri, Ancelotti (të cilin e quan “numri një”) dhe Mourinho, i cili e solli te Real Madridi. Modriç përmendi edhe Ibrahimoviçin, me të cilin flet në gjuhën e tyre, duke shprehur besimin se Milani mund të fitojë titullin, ashtu siç bëri Ibra në moshë të ngjashme.
KOHA JONË SONDAZH

