Milani arkëton nga shitja e Jimenez dhe bën gati planet për sulmuesin serb të Partizanit
Milani është gati të arkëtojë rreth 10 milionë euro plus bonuse nga shitja e Alex Jimenez te Bournemouth. Lajmi raportohet nga Corriere dello Sport, sipas të cilit mbrojtësi i krahut spanjoll do të blihet përfundimisht nga klubi anglez që në orët në vijim, duke firmosur një kontratë deri në vitin 2031.
Jimenez, i cili ka regjistruar deri tani 21 paraqitje me Bournemouth mes Premier League dhe kupave, me 1 gol dhe 1 asist, do të sjellë një shumë të konsiderueshme për kuqezinjtë. Këto të ardhura, sipas së përditshmes italiane, do të riinvestohen menjëherë nga drejtori sportiv Igli Tare për të përforcuar skuadrën në merkato verore, duke nisur nga një objektiv konkret: Andrej Kostic i Partizanit të Beogradit.
Sulmuesi 18-vjeçar kishte qenë në radarët e Milanit që në janar, por negociatat nuk u finalizuan për shkak të mungesës së marrëveshjes mbi çmimin e kartonit. Tani “Djalli” është i vendosur të provojë sërish, me bisedimet me klubin serb që pritet të vazhdojnë në javët e ardhshme. Në sezonin 2025-26, Kostic ka regjistruar 28 ndeshje dhe 9 gola, ndërsa vlera e tij e tregut, sipas Transfermarkt, është rreth 3 milionë euro.
KOHA JONË SONDAZH

