Milani dhe Interi bëjnë “paqe” në derbin spektakolar që dhuroi gjithçka (VIDEO)

Milani dhe Interi nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 në derbin e Madoninës, që mbrëmjen e sotme dhuroi vërtet shumë emocione, ritëm, rivalitet dhe gola.

Sfida nisi me shumë ritëm, teksa që në minutën e 9-të, Interi fiton një penallti pas një faulli të Kessie brenda zonës ndaj Calhanoglu. Për arbitrin Doveri nuk ka dyshime, edhe pas konsultimit me VAR. Nga pika e bardhë turku tregohet i pamëshirshëm. Milani reagoi mjaft mirë duke gjetur menjëherë golin e barazimit në minutën e 17-të, teksa De Vrij devijoi topin në rrjetën e portës së tij.

Por emocionet nuk përfunduan këtu, teksa në të 25-tën, Interi fiton një tjetër penallti pas një faulli ndaj Darmian. Këtë herë ekzekutimin e merr përsipër Lautaro Martinez, i cili d të ndalej nga një pritje fantastike e portierit Tatarusanu. Interi do të ishte më dominues në lojë në fundin e pjesës së parë dhe në fillimin e së dytës, por pa mundur që të konkrtizojë shanset për shënim.

Në fundin e ndeshjes ndërkohë Milani ishte më këmbëngulës. Saelemaekers do të ndalej vetëm nga shtylla, ndërkohë që Kessie me pas me portën gjysmë të boshatisur e dërgoi topin jashtë. Milani mbetet në krye së bashku me Napolin me 32 pikë, ndërkohë që Interi mban vendin e tretë me 25 pikë. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP