Milani dhe Napoli bëjnë “paqe”, Hysaj e sheh ndeshjen nga stoli
Milani arrin të ndalë skuadrën e Napolit në ndeshjen e zhvilluar në “San Siro”. Skuadra e Gennaro Gattusos ka barazuar 0-0, në një ndeshje ku për pjesën më të madhe ishin ata më kërkues për të gjetur rrugën e rrjetës.
Shansin e parë të ndeshjes do ta kishte Napoli që në minutën e 6-të, teksa pas kombinimit Insigne-Callejon, Donnarumma arrin të ndalë mjaft mirë goditjen e këtij të fundit. Më tej Milani ka kontrollin e lojës, por nuk ka shumë raste të rrezikshme.
Fillimi i pjesës së dytë është më i mirë për kuqezinjtë që kanë një shans të artë me Kessie, por goditja e mesfushorit ndalet në fund nga Malcuit. Në krahun tjetër Napoli shfaqet në minutën e 67të, me një goditje të fortë të Zielinskit që ndalet nga Donnarumma. Te Milani që nga minuta e 71-të, debuton edhe sulmues Piatek, i cili krijon një shans të artë që në prekjen e parë të topit. Mussachio u ndal në minutën e 78-të nga një mrekulli e portierit Ospina.
Hysaj e ndoqi të gjithë ndeshjen nga stoli, duke mos u aktivizuar për asnjë minutë. Me këtë barazim, Napoli ruan vendin e dytë me 48 pikë, 8 më pak se Juventusi, ndërkohë që Milani mbetet në vendin e katërt me 35 pikë. /Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

