Milani e ka seriozisht për Hysajn, në garë dhe Roma e Lazio
Elseid Hysaj me shumë mundësi do të mbetet në Seria A, teksa pritet që të zgjedhë një tjetër skuadër italiane pas skadimit të kontratës me Napolin. Në numrin e sotëm të “Gazzeta dello Sport” raporton se në garë për të janë tri skuadra me emër të kampionatit italian.
“Diskutimi për rinovimin me të kaltrit ka kohë që ka dështuar dhe tashmë shqiptari po pret telefonatën e duhur. Milani së fundmi ka nisur që të fitojë terren, duke dëgjuar edhe kërkesat ekonomike të Hysajt.
Teksa në shtëpinë e kuqezinjve janë në fazë reflektimi për këtë çështje, Lazio është bërë pjesë aktive e garës. Bardhekaltrit janë në kërkim të një mbrojtësi anësori të majtë, teksa një tjetër emër i mundshëm është edhe Bastoni nga Spezia. Klubi i fundit që ka shfaqur interes ndërkohë është Roma”, shkruhet në lajmin e gazetës italiane. Milani për momentin shihet si opsioni më i mirë për shkodranin, por nuk mund të përjashtohet ndonjë surprizë nga Igli Tare. /R.Lika-Koha Jone/