Milani fiton derbin e Madoninës ndaj Interit, Pulisic dhe Maignan vendimtarë
Milani ka marrë një fitore të madhe 1-0 ndaj Interit në derbin e Madonninës, duke u rikthyer te fitorja pas ndalesës së javës së kaluar dhe duke kaluar zikaltërit në renditje. Skuadra e Massimiliano Allegrit tashmë ngjitet në vendin e dytë, vetëm dy pikë larg kryesueses Romë.
Pjesa e parë foli për Interin, me formacionin e Cristian Chivu që ushtroi presion të vazhdueshëm dhe rrezikoi disa herë. Mike Maignan mbajti gjallë kuqezinjtë me pritje vendimtare, ndërsa dy traversa të zikaltërve lanë shijen se goli ishte çështje momenti.
Pjesa e dytë nisi ndryshe. Në minutat e para, Christian Pulisic shfrytëzoi një aksion të shpejtë dhe ia doli të shtyjë topin në rrjetë për 1-0, duke ndezur festën kuqezi.
Interi pati mundësinë ideale për të barazuar kur gjyqtari akordoi penallti pas ndërhyrjes së Pavloviç ndaj Thuram. Megjithatë, Hakan Çalhanoglu u ndal nga një Maignan spektakolar, që u shndërrua në vendimtar në derbi.
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund dhe me këtë fitore, kampionati ngushtohet si asnjëherë tjetër, me pesë skuadra të ndara vetëm nga tre pikë.
KOHA JONË SONDAZH

