Milani fiton duelin për titull ndaj Napolit dhe rimerr kreun e Seria A (VIDEO)
Milani rikthehet në krye të renditjes së Seria A. Kuqezinjtë morën një fitore të madhe 1-0 në duelin ndaj një rivali direkt për titullin si Napoli. Sfida e luajtur në stadiumin Maradona dhuroi emocione të shumta, por 45 minutat e para u mbyllën pa gola.
Kuqezinjtë zhbllokuan duelin në fillimin e fraksionit të dytë. Në minutën e 48-të, pas një aksioni të gjatë dhe një rrëmujë në zonën e napolitanëve, Giroud është në vendin dhe në kohën e duhur për ta devijuar topin në kuadrat.
Napoli tentoi me të gjitha mënyrat për të gjetur golin e barazimit, teksa Spalletti aktivizoi dhe Mertens dhe Lozanon, por Maignan ishte në mbrëmjet e tij më të mira, duke ndalur Osimhen në një rast. Milani ruajti avantazhi deri në fund, teksa tashmë ngjitet në kuotën e 60 pikëve, 2 më shumë se Interi dhe 3 më shumë se Napoli. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

