Milani fiton ndaj Lecces së Ramadanit, vendos një gol i Fullkrug
Në javën e 21-të të Serie A, Milani vazhdon ndjekjen e Interit duke triumfuar 1-0 ndaj Leçes në “San Siro”. Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me intensitet të lartë, duke rrezikuar fillimisht me një goditje të Saelemaekers dhe më pas duke gjetur rrugën e rrjetës me Leaon, pas asistit të belgut. Gëzimi i tifozëve zgjati pak: arbitri Zufferli anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje. Pavarësisht dominimit territorial të Milanit, pjesa e parë u mbyll pa gola dhe pa shumë emocione të tjera.
Në fillim të pjesës së dytë në skenë doli portieri Falcone, protagonisti absolut i Leçes. Ai fillimisht ndali Riccin, ndërsa më pas realizoi një pritje spektakolare ndaj Pulisic, pas një pasimi depërtues dhe brilant nga Leao.
Zgjidhja e ndeshjes erdhi nga stoli. Allegri hodhi në fushë Fullkrug në minutën e 72-të në vend të Pulisic dhe sulmuesi gjerman nuk zhgënjeu: pas më pak se katër minutash, ai shënoi golin e fitores me një goditje të saktë me kokë, duke përfituar nga një krosim perfekt i Saelemaekers.
Me këtë sukses, Milani regjistron rezultatin e 20-të radhazi pa humbje dhe i afrohet sërish Interit kryesues në vetëm tre pikë diferencë.
KOHA JONË SONDAZH

