Milani ka zgjedhur Pubill, Tare kërkon ta mbyllë sa më shpejt negociatën

Pietro Terracciano është praktikisht përforcimi i tretë i Milanit në këtë merkato verore nën drejtimin e Igli Tares. Pas afrimeve të Ricci dhe Luka Modric, kuqezinjtë kanë arritur një marrëveshje edhe me portierin 35-vjeçar, i cili ka firmosur një kontratë dyvjeçare dhe pritet të jetë zëvendësuesi i Mike Maignan, duke marrë vendin e Marco Sportiellos, që është afër rikthimit te Atalanta. Zyrtarizimi i transferimit është tashmë vetëm çështje kohe.

Megjithatë, kjo lëvizje konsiderohet si një operacion dytësor, pasi përparësi në këtë fazë të merkatos mbetet përforcimi i krahëve. Objektivi kryesor aktualisht është Marc Pubill, mbrojtësi i djathtë 22-vjeçar i Almerías. Kuqezinjtë kanë intensifikuar kontaktet me agjentin e tij, Fali Ramadani, me synimin për të mbyllur sa më shpejt marrëveshjen dhe për të mposhtur konkurrencën, sidomos atë të Wolverhamptonit. Më prapa në garë qëndron Barcelona.

Milani shpreson ta mbyllë operacionin për një shumë pak mbi 10 milionë euro, ndërkohë që klubi spanjoll kërkon rreth 15 milionë. Një shifër gjithsesi më e ulët krahasuar me 25 milionët e kërkuara nga Strasburgu për mbrojtësin Guéla Doué. Përforcimi i krahëve, përfshirë edhe atë të majtë, është prioriteti absolut i Tares në këtë moment të merkatos.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërkohë, nuk është lënë pas dore as pista për mesfushorin Ardon Jashari. Futbollisti është rikthyer të stërvitet me klubin e tij aktual, Brugge, por shpreson ende që të realizohet kalimi te Milani.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?