Milani merr fitoren e tretë radhazi, ndaj Brescias vendos sërish Rebic (VIDEO)

Milani i Piolit ka nisur të funksionojë, të paktën në rezultate. Kuqezinjtë fituan me vështirësi 1-0 ndaj Brescias në transfertë duke marrë suksesin e tretë radhazi në Seria A.

Pas një pjese të para ku të dyja skuadrat studiuan njëra-tjetrën, fraksioni i dytë do të ishte më i bukur. Skuadra e Corinit shpërdoroi shumë mundësi shënimi me Torregrosa dhe Tonalin që ndalen nga Donnarumma që ishte në një mbrëmje mjaft të mirë.

Ante Rebic ndërkohë duket se është kthyer në “hajmali” te skuadra e Milanit. Sulmuesi kroat ishte sërish vendimtar nga stoli duke zhbllokuar ndeshjen në minutën e 71-të, pas një rrëmuje në zonën e vendasve.

Më tej ndeshja u bë shumë e ndezur në minutat e fundit, por rezultati nuk do të ndryshonte. Milani ngjitet në vendin e 6-të me 31 pikë pas 21 javësh. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP