Milani nuk e rrezikon Ibrën, suedezi humbet sfidën me Parmën
Milani nuk ka ndërmend që të rrezikojë me Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi suedez vijon stërvitjet veçmas nga pjesa tjetër e grupit, ndaj dhe trajneri Pioli nuk do ta grumbullojë për sfidën e së dielës që do të luhet në “San Siro” kundër Parmës.
Gjendja e tij është përmirësuar pas dëmtimit muskulor, por kuqezinjtë nuk do të nxitojnë për ta parë sërish në fushë. Zlatan me shumë mundësi do të zbresë sërish në fushë, të mërkurën ndaj Genoas.
Milani do të ketë sfida aspak të thjeshtë në vijim, pasi do të luajë ndaj Sassuolos në transfertë, e më pas edhe ndaj Lazios në shtëpi. Ibrahimovic këtë sezon ka shënuar 10 gola në vetëm 6 ndeshje. /R.Lika-Koha Jone/