Milani rigjen fitoren në Seria A falë dyshes Ibrahimovic-Leao (VIDEO)
Milani është rikthyer te fitoret në kampionat pas tri ndeshjesh. Kuqezinjtë arritën të fitonin 2-0 në transfertën ndaj Cagliarit, teksa në këtë ndeshje do të linte gjurmë edhe Zlatan Ibrahimovic. 45 minutat e para do të dhuronin pak emocione me të dyja skuadrat që u përpoqën që të mbroheshin më shumë.
Në fillimin e pjesës së dytë, vetëm pas disa sekondash Castillejo shërbeu një asist fantastik për Leao-n, i cili realizoi golin e avantazhit, duke u ndihmuar edhe nga një devijim i një mbrojtësi. Skuadra e Piolit nuk u ndal me kaq, pasi do të realizonte edhe golin e dytë në minutën e 64-t.
Theo Hernandez jep një top në zonë për Ibrahimovic, i cili me një goditje shumë të sajtë me të majtën e dërgon topin në rrjetë. Ky është goli i parë për suedezin pas rikthimit te kuqezinjtë. Pavarësisht përpjekjeve të vendasve, rezultati nuk do të ndryshonte deri në fund. Milani ngjitet në vendin e 8-të me 25 pikë, ndërkohë që Cagliari mbetet në të gjashtin, por me 4 humbje radhazi në sfidat e fundit. /R.Lika-Koha Jone/