Milani zgjedh një strateg gjerman për sezonin e ardhshëm, nënshkruan parakontratë
Stefano Pioli është duke drejtuar në muajt fundit skuadrën e Milanit. Strategu italian me shumë mundësi do të largohet pasi kuqezinjtë vështirë se do të arrijnë në zonën Champions. 6 herë kampionët e Europës e kanë gjetur menjëherë zëvendësuesin, i cili do të jetë strategu gjerman Ralf Rangnick, duke firmosur një para-kontratë, sipas të cilës ky i fundit do të ulet në pankinën e kuqezinjve nga vera e këtij viti.
Ish-trajner i Leipzigut, që ngjiti gjermanët në elitën e futbollit aktualisht mban rol menaxherial në po të njëjtin klub, ndërsa te Milani pritet të vijë si trajner dhe drejtor sportiv njëkohësisht, pasi do të kontrollojë vetë edhe merkaton.
Ndonëse pak ditë më parë Paolo Maldini hodhi poshtë mundësinë që Rangnick të ulet në stolin kuqezi, mediat këmbëngulin se me ardhjen e gjermanit, edhe ish kapiteni i Milanit bashkë me Boban pritet të largohen pasi nuk do të ketë më vend për ta. Në para-kontratën që Ivan Gazidis ka firmosur me Ralf Rangnick, është parashikuar një dëmshpërblim i majmë, nëse Milani vendos të mos ia besojë këtë rol gjermanit në fund të sezonit.