Miodrag Radanoviç, Kukësi i besohet një serbi për titullin kampion
Pas disa ndryshimeve në drejtimin e Kukësit, Miodrag Radanovic është emëruar drejtori i ri teknik i skuadrës verilindore. Dje 68 vjeçari serb u prezantua , pas largimit të Ramadan Shehut. Me një përvojë 33 vjeçare në futboll dhe një eksperiencë si trajner në të kaluarën, Radanoviç kërkoi të familjarizohej menjëherë me skuadrën, teksa ju bashkua lojtarëve përpara seancës stërvitore duke biseduar dhe shkurtimisht me ta. – “Stafi, skuadra dhe lojtarët më bënë një përshtypje shumë të mirë që në impaktin e parë. Punoj prej 30 vitesh si trajner, dhe pjesën më të madhe të karrierës e kam kaluar në stafin teknik të Crvena Zvezdës. Pata një bisedë konstruktive dhe me trajnerin Shaqiri, dhe shpresoj që në të ardhmen do të kemi një bashkëpunim të frytshëm bashkë dhe do të arrijmë rezultate të mira,” – theksoi drejtori i ri teknik i Kukësit. Miodrag zbuloi se ishte Ivan Gvozdenovic, një ish lojtar i tij, ishte ai që e bindi të vijë te Kukësi. – “Gvozdenovic më foli mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe më pëlqyen fjalët e tij ndaj vendosa që të vija te Kukësi për të dhënë më të mirën time, që ky klub të arrijë në nivelet më të larta,” – u shpreh ai. Dhe pse prej pak orësh në Shqipëri, Radanoviç e ka të qartë se objektivi kryesor i Kukësit është fitimi i trofeve, dhe këtë nuk e fsheh, madje thekson se ai ka ardhur në vendin tonë, për të fituar. “Deri në fund të kampionatit ka dhe nëntë javë. Fillimisht do të përqendrohemi te ky sezon, pasi jam këtu për të fituar trofe dhe nuk më intereson asgjë tjetër përveç titujve. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të fituar, më pas të shohim. Sigurisht që kemi plane, do të bisedojmë me presidentin Gjici dhe më pas do të vendosim dhe për lëvizjet e sezonit të ardhshëm,” – theksoi Radanoviç. Gjithashtu dhe presidenti Safet Gjici konfirmoi trajnerin Shaqiri deri në fund të sezonit duke garantuar se nuk do të ketë ndryshime në stol. Kukësi e fitoi ndeshjen e fundit 4-1 me Flamurtarin dhe mbetet në vend të dytë, dy pikë pas kryesuesve të Skënderbeut.
KOHA JONË SONDAZH

