Modric: Nëse ka një skuadër që mund të përmbysë gjithçka, është vetëm Reali
Luka Modric ishte titullar në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku Real Madrid u mposht thellë nga Arsenali me rezultat 3-0. Edhe pse skuadra e tij pësoi një goditje të rëndë, mesfushori kroat nuk e humbet shpresën për përmbysje. Në një intervistë për “CBS Sports Golazo”, Modric analizoi ndeshjen, duke vënë theksin te momentet vendimtare që ndikuan në rrjedhën e lojës.
“Ishte një sfidë e vështirë. Në pjesën e parë bëmë mirë, u mbrojtëm me organizim dhe ndaluam lojën mes rreshtave të Arsenalit. E dinim që Odegaard dhe Rice janë vendimtarë në atë zonë,” tha Modric.
Sipas tij, gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë pas golit të parë të Arsenalit, një realizim fantastik nga gjuajtja e lirë.
“Goli i parë ishte i mrekullueshëm dhe i papritur për ne. Më pas, goditja e dytë ishte thjesht e pabesueshme. Ata dy gola na tronditën, humbëm balancën që kishim në pjesën e parë. Nuk ishim më kompakt, dhe Arsenal na ndëshkoi.”
Pavarësisht rezultatit të rëndë, kapiteni kroat mbetet optimist: “Tani duhet të fokusohemi në ndeshjen e radhës në kampionat kundër Alavés për të rikthyer besimin. Ne vijmë nga disa humbje, diçka që nuk na ndodh shpesh. Por nëse ekziston një skuadër që mund të përmbysë gjithçka, është Real Madrid. Nuk do të jetë e lehtë, por ne nuk dorëzohemi.”
