Monaco mposht PSG-në, Marseille mund të marrë kryesimin nëse fiton sot
Monaco realizoi një paraqitje të shkëlqyer dhe mposhti 1-0 kampionët në fuqi të Paris Saint-Germain, duke i dhënë fund serisë prej tri humbjesh radhazi në Ligue 1. Edhe pse të dy ekipet vinin nga rezultate të ndryshme në Champions League, Monaco barazim me Pafos, PSG fitore spektakolare 5-3 ndaj Tottenhamit, ishte skuadra vendase ajo që e nisi më mirë ndeshjen.
Mohammed Salisu rrezikoi i pari me një goditje volej të ndalur nga Chevalier, ndërsa PSG mori më vonë kontrollin e lojës dhe krijoi raste me Vitinha-n, por Hradecky ishte i pakalueshëm në portën e Monaco-s. Minamino iu afrua golit, ndërkohë që një realizim i Salisu u anulua për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, Monaco vazhdoi me të njëjtin ritëm. Pas disa tentativave, goli erdhi në minutën e 68-të: Aleksandr Golovin depërtoi nga e majta dhe harkoi në zonë, ku Takumi Minamino e kontrolloi në mënyrë perfekte topin dhe shënoi me qetësi, duke i dhënë avantazh vendasve. Dhjetë minuta para fundit, ndeshja mori një kthesë kur Thilo Kehrer u ndëshkua me karton të kuq për ndërprerje të një mundësie të pastër shënimi.
PSG nuk arriti të shfrytëzonte epërsinë numerike dhe u dorëzua para disiplinës dhe vendosmërisë së Monacos. Me këtë fitore, Monaco ngjitet në zonën europiane, vetëm një pikë larg top-katërshes, ndërsa PSG rrezikon të zbresë në vendin e tretë nëse Marseille dhe Lens fitojnë ndeshjet e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

