Moratti: Fenomeni na bëri të njohur në botë, Baggio plot klas dhe elegancë

Massimo Moratti bleu klubin e Interit 25 vite më parë. Miliona të shumta të shpenzuara për skuadrën e zemrës, zhgënjime pafund, por edhe momente të paharrueshme për popullin zikaltër. Ish-presidenti i njohur i Interit i rikthehet kujtimeve në një prononcim për Telelombardia, aty ku tregon lojtarët më të mëdhenj dhe pengun e tij.

DEBUTIMI – “Prej atyre ditëve mbaj mend sjelljen e mirë të Pellegrinit, i cili më mori me vete në dhomat e zhveshjes përpara ndeshjes me Brescian dhe më prezantoi me skuadrën. Lojtarët ishin pak të hutuar dhe të befasuar nga ky ndryshim kaq i rëndësishëm. Gjëja më e bukur ishte që fituam, kështu që debutimi ishte i bukur për të gjithë”.

SIMBOLET – “Recoba ishte lojtari më i dashur, ndërsa Ronaldo fenomeni mbetet i paharrueshëm. Ishte më i forti nga të gjithë, ai që na bëri të njohur në të gjithë botën. Edhe Roberto Baggio ishte një futbollist i madh. S’e harroj kurrë klasin e tij, elegancën që kishte, disponueshmërinë. Nuk harrohen ndeshjet me Real Madrid në Champions dhe ‘play-off’-i me Parmën në Verona”.

PIRLO – “Andrea Pirlo është pengu më i madh. E kisha kuptuar sa i fortë ishte, prandaj e mora tek Interi. Mëkat që asnjë trajner nuk i gjeti pozicionin e duhur në fushë. Kjo gjë na detyroi ta shisnim dhe lojtari u largua i trishtuar”.

ERIKSEN – “Humbja kundër Lazios mund të jetë leksioni ku Interi duhet të riniset. Skuadra është, edhe trajneri është. Kur ke lojtarë si Eriksen, duhet të krijosh një lojë që i përshtatet karakteristikave të tij. Janë lojtarë që të dërgojnë te fitorja, por ta bësh këtë gjë në mes të sezonit nuk është aspak e lehtë”.

Massimo Moratti

SHKARKO APP