Moratti thumbon Juven: Ndryshe të eliminohesh nga vendi i 7, ndryshe nga PSG!
Massimo Moratti në një intervistë të fundit për mediet italiane, vlerësoi paraqitjen e Atalantës në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, “thumboi” Juven si dhe rindezi shpresën e tifozëve zikaltër për të parë Messin në “San Siro”.
“Epo është një gjë të eliminohesh nga PSG, një gjë tjetër nga skuadra e shtatë e kampionatit francez. Sinqerisht, nuk ka të krahasuar.
Sarri? Një mik më tha: nëse je ateist nuk mund të shkosh të predikosh në Vatikan. Por nuk mund të gjykosh nga jashtë, duhet të dish dinamikën e ngjarjeve në dhomën e zhveshjes. Sidoqoftë, Sarri fitoi kampionatin.
Pirlo? Jam intriguar shumë nga kjo zgjedhje. Andrea Agnelli u tregua kurajoz. Pirlo i meriton krahasimet për historinë e tij si kampion, por është gjithashtu e vërtetë që francezi (Zidane) në Madrid kishte bërë më parë ndihmësin e Ancelottit dhe kishte drejtuar skuadrën e dytë, si Pep te Barça. Pirlo nuk ka përvojë në pankinë. Për këtë do të jetë interesante të shohim rezultatin e bastit.
Lukaku? Më lejoni pak të korrigjohem. Kam gabuar në gjykimin tim në lidhje me Lukakun. Sinqerisht, mendoja se ai ishte i fortë vetëm fizikisht dhe kisha frikë se do të pendohesha për largimin e Icardit. Në vend të kësaj kuptova që Romelu është një kampion, gjithmonë ndihmon shokët e tij të skuadrës. Ai ka një vizion të lojës.
Conte kishte të drejtë që e kërkonte me ngulm. Trajneri e përmirësoi shumë, duke e ndërtuar ekipin rreth tij. Sa i përket Europa League-s, nuk do të jetë e lehtë, kanë mbetur katër formacione shumë konkurruese. Unë shpresoj t’ia dalim. Në fund të fundit, miku im Steven Zhang është kinez …
Messi tek interi? Shikoni, tani jam një tifoz i thjeshtë i Interit dhe nuk kam asnjë informacion konfidencial. Por e di një gjë: sa u përket burimeve dhe aftësive, Suning ka gjithçka për të sjellë Leon në Milano. Pra, e besoni? Si shkruhet kurrë mos thuaj kurrë në kinezçe?