“Mos na vër në siklet”, Andi Lilën e përzënë nga stadiumi i Kavajës (VIDEO)
Ish-futbollisti i Kombëtares, tashmë pjesë e listave të Partisë Demokratike si kandidat për deputet në Kavajë Andi Lila është përzënë nga “Fusha e Vjetër’ e qytetit teksa jepte intervistë për News24.
Në pamje Lila shihet teksa komunikon me një polic bashkiak dhe një tjetër person me emrin Aldo, që i thotë troç se është politikë dhe se duhet të largohet nga fusha e blertë.
Gjatë debatit, Lila e pyet se nga kush është urdhëruar dhe punonjësi që prezantohet si drejtori i sportit i shoqëruar nga një polic bashkiak i kërkon disa herë ta kuptojë për pozicionin e vështirë dhe sikletin që ka por se duhet të largohet nga fusha.
DEBATI
Punonjësi: Ke punë shumë?
Lila: Ja mbaruam.
Punonjësi: Se na bënë me llafe.
Lila: Kush bëri llafe?
Punonjësi: Na bënë me llafe. Sikur se di si funksionon, hë pra mo.
Lila: Nuk e di, kush bëri llafe.
Punonjësi: Për Zotin na bën me llafe. Unë kastile kam ardhur, s’kam çfarë të bëj ty por na bën me llafe. Kështu që po pate për të mbaruar…
Lila: O Aldo unë këtu e kam bërë me djersë e gjak, kështu që ata të kanë thënë ty…Është fusha ime.
Punonjësi: Është muhabet politik, po të vij si vëlla, mos na vër në siklet, ti tani më kupton. Edhe ty po të thonë…
Lila: Kush të ka thënë? Të ka thënë kryetari i bashkisë?
Punonjësi: Po më vë në siklet. Të kam lajmëruar unë o vlla.
Lila: Ti çfarë je?
Punonjësi: Drejtori i sporteve. Policinë bashkiake unë e kam lajmëruar vëlla?
Polici bashkiak: Jo, jo.
Lila: Kush e ka lajmëruar.
Polici bashkiak: Komandanti.
Punonjësi: Për Zotin nuk e kam lajmëruar unë, për kokë të familjes.
Lila: Komandanti? Që të nxirrni Andi Lilën përjashtë.Punonjësi: Për Zotin na vë në siklet, na vë në siklet, për kokë të familjes se mu s’po më bi mendja. S’po kandidoj unë për kryetar bashkie, as për deputet. Për Zotin 10 vetë më kanë marrë në telefon.
Lila: Mbaruam!
Punonjësi: Me siklet të madh vallahi, po më dridhet zëri.
Një tjetër: Siklet se ikim prej pune…
Lila: Të kuptoj shumë mirë.
Punonjësi: O vlla janë ca gjëra, është politike, nuk është problemi që është sport. Po të jetë sport, është sport. Andi nuk ka punë sepse është politikë, në krah të kundërt me ne. Ky është gjithë muhabeti që është folur, çfarë të them unë?! Ka më shqip?! Për Zotin kjo është.
Lila: Pyeti njëherë vlla në Kavajë të vijë më Andi Lila apo jo? Po ça janë këto injoranca.
Punonjësi: Çfarë të them unë. Mua kështu më thanë.