Mourinho mesazh lojtarëve: Nëse s’doni të luani, rrini në shtëpi dhe shihni Bundesligën
Në Angli rifillimi i kampionatit duket gjithnjë e më i mundur, pas aprovimit nga qeveria. Megjithatë numri i skeptikëve për të rinisur kampionatin është i shumtë dhe është rritur edhe më, pasi trajnerëve dhe futbollistëve u është kërkuar të firmosin një deklaratë se marrin përsipër riskun që ndonjë prej familjarëve mund t’u sëmuret nga Covid-19.
Por në një video-konferencë me të gjithë trajnerët e klubeve të kampionatit anglez, ka qenë portugezi Jose Mourinho ai që ka kritikuar më ashpër zërat kundër vazhdimit të sezonit, duke u kujtuar se këtë fundjavë do të rinisë Bundesliga.
“Nëse nuk doni të luani, rrini në shtëpi dhe shikoni Bundesligën. Unë nuk kam qenë asnjëherë për ndërprerjen përfundimtare të futbollit, thjesht kam kërkuar më shumë kohë për t’u përgatitur.
Futbollistët kanë më tepër se dy muaj pa aktivitet dhe me një stërvitje skarco si kjo që po bëjmë, duke ruajtur distancimin social, do të jetë e pamundur të rikuperojmë formën brenda 2-3 javëve”, tha tekniku i Tottenhamit.