Muçi dhe Mehmeti, dy yjet e lënë në hije që po shkëlqejnë jashtë Kombëtares
Dy sulmues shqiptarë po shkëlqejnë në Evropë, ndërkohë që emrat e tyre vazhdojnë të mungojnë në listën e Kombëtares sonë. Ernest Muçi dhe Anis Mehmeti, dy lojtarë në formë të frikshme, po i japin edhe njëherë arsye trajnerit Sylvinho të rimendojë politikat e përzgjedhjes.
Në Turqi, Muçi më në fund shpërtheu me fanellën e Trabzonspor. I futur si zëvendësues në minutën e 63-të, ai ndryshoi të gjithë rrjedhën e përballjes ndaj Basaksehir. Sulmuesi 23-vjeçar realizoi fillimisht golin e parë personal të sezonit në minutën e 77-të, duke përmbysur ndeshjen përkohësisht.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt një barazimi dramatik, ai u shfaq sërish në skenë me një perlë nga distanca në minutën e 101-të, duke vulosur fitoren 4-3 dhe shpërthimin e tribunave. Dopieta e tij jo vetëm i solli tre pikë jetike Trabzonsporit, por shënoi edhe nisjen e tij reale në aventurën turke, pas transferimit nga Besiktasi në verë.
Ndërkohë në Angli, në Championship, Anis Mehmeti po shkëlqen në heshtje, larg vëmendjes së Kombëtares. Fantazisti i Bristol City ishte i jashtëzakonshëm në triumfin 3-0 ndaj Sëansea: tre asiste në një mbrëmje perfekte dhe një vlerësim pothuajse maksimal, 9.9.
Në një ligë të ashpër dhe fizike, 24-vjeçari po tregon rritje të vazhdueshme, me pesë gola dhe gjashtë asiste në 16 ndeshje, statistika që e vendosin ndër më vendimtarët e skuadrës. Të dy lojtarët kanë një të përbashkët: forma e tyre e shkëlqyer nuk po shpërblehet me një ftesë në Kombëtare.
Ndërsa Arbër Hoxha është rikthyer në listë, Mehmeti vazhdon të mbetet jashtë prej kohësh, një zgjedhje që ngre shumë pikëpyetje në një moment kur kreativiteti dhe fantazia mungojnë. Edhe Muçi, pavarësisht potencialit dhe rritjes së shpejtë, nuk po merr vendin që meriton. /R.Lika-Koha Jonë/


KOHA JONË SONDAZH

