“Mund të brohoritet edhe pa maskë për golin në Euro 2020”
Kampionati Europian do të jetë një event i sigurtë nga koronavirusi. Është i bindur presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, i cili në një intervistë pak orë përpara startit të madh tha se masat anti-covid janë shumë të rrepta ndaj dhe nuk pritet që të ketë shtyrje ndeshjesh.
“Unë nuk mendoj se ndeshjet do të shtyhen pasi protokolli dhe masat anti-covid janë me të vërtetë të rrepta. Për ta kuptuar, edhe zyrtarët e vaksinuar duhet të testohen para çdo ndeshjeje. Lojtarët janë shumë të mbrojtur dhe mendoj se është një turne mjaft i sigurt. Sigurisht, asnjëherë nuk mund ta dijmë se çfarë mund të ndodhë, por unë jam shumë i sigurt se gjithçka do të jetë në rregull”.
Presidenti i UEFA-s gjithashtu insistoi se është një edicion unik pasi zhvillohet në një situatë të veçantë nga pandemia dhe se të gjithë duhet të përshtaten që të mos krijohen problem.
Ndërkohë lidhur me masat anti-covid dhe me sjelljen e tifozëve që do të jenë në ndeshjet e Euro 2020, do të lejohen edhe brohoritjet pa maska. Duket disi qesharake të mendosh që mund të ndalohej brohoritja për një gol por masat nga pandemia janë strikte dhe zyrtari Italian i shëndetësisë, Sileri sqaron disa detaje pak orë para ndeshjes Turqi-Itali në “Olimpico”.
“Thjesht respektoni distancat, përpiquni të qëndroni larg me tifozët e tjerë, mos shkëmbeni shishe, gota dhe pirunj. Sigurisht, është më mirë nëse jeni të vaksinuar, por mund të brohorisni për golin edhe pa maskë. Nëse jeni vaksinuar mund edhe të përqafoni njëri-tjetrin, ne tani jemi afro 50% të vaksinuar në Itali”, u shpreh zv/sekretari i Shëndetësisë Italiane.