Mungon vetëm zyrtarizimi, Douglas Luiz rikthehet “në shtëpi” në Premier League
Juventusi vazhdon të monitorojë tregun anglez jo vetëm për përforcime, por edhe për menaxhimin e lojtarëve në dalje. Në qendër të vëmendjes është situata e Douglas Luiz, mesfushori brazilian i cili u transferua gjatë verës te Nottingham Forest në formë huazimi me detyrim blerjeje, që do të aktivizohej pas 15 paraqitjeve prej të paktën 45 minutash.
Pas një sezoni zhgënjyes me fanellën bardhezi, Douglas Luiz e pati të vështirë të përshtatej edhe te klubi i ri. Hapësirat për të u zvogëluan, deri në daljen e tij jashtë projektit teknik.
Në këtë situatë ka ndërhyrë Aston Villa, e cila ka lënë pas Chelsea-n dhe ka vepruar shpejt për ta rikthyer mesfushorin në “shtëpi”, duke e konsideruar si një zgjidhje konkrete për emergjencën e dëmtimeve në repartin e mesfushës së Unai Emeryt.
Kalimi te Aston Villa do të realizohet sërish në formë huazimi me të drejtë blerjeje. Për Juven, kjo lëvizje garanton një kursim të plotë të pagës së lojtarit deri në fund të sezonit, por njëkohësisht sjell humbjen e sigurisë për shitjen automatike që parashikohej pas 15 ndeshjeve me Nottingham Forest.
Megjithatë, te “Zonja e Vjetër” mbetet shpresa për një shitje përfundimtare të Douglas Luiz, falë opsionit të blerjes që Aston Villa ka përfshirë në marrëveshje. Një zgjidhje që mund t’i japë fund një aventure të komplikuar bardhezi dhe t’i hapë rrugë një rikthimi të suksesshëm në Premier League për mesfushorin brazilian.
KOHA JONË SONDAZH

