Muriqi: Emocionohem kur vi në Shqipëri, kam kaluar dy muaj të vështira!

Vedat Muriqi la shenjë në vëllazëroren kundër Shqipërisë duke shënuar një gol në minutat e fundit, pas një penalltie të fituar nga vetë ai. Bomberi i “Dardanëve” foli edhe për aventurën e re te Lazio.

“ Pata nja 2 muaj të vështirë në aspektin psikologjik. Kisha një lëndim muskulor, më pas erdhi Covidi, kështu që humba përgatitjet me Fenerbahcen dhe Lazion. Ndihem disi më mirë, por kam nevojë për t’u ambientuar te Lazio, më nevojitet edhe pak kohë. U ktheva te goli me Kosovën pas një viti, rezultati nuk kishte rëndësi as për ne dhe as për Shqipërinë.

Ishte një ndeshje e mirë, vëllazërore dhe i uroj suksese të dy skuadrave në të ardhmen. Shteti dhe kombëtarja ngelen gjithmonë, emrat vijnë dhe ikin. Më ka munguar shumë Kosova, kemi një shoqëri të mirë me njëri-tjetrin. Jam rikthyer tani dhe shpresoj të vazhdoj të jap 100% tim, siç e kam bërë edhe më parë. Luajta rreth 2 vite e gjysmë te Teuta dhe Besa në Superiore. Kam qenë i lumtur, jam ndjerë si në shtëpinë time, edhe pse ka pasur momente të mirë dhe jo të tilla. Kujtoj gjithçka sa herë kthehem këtu, e ndjej veten shumë emocional sa herë vij në Shqipëri“, u shpreh Vedat Muriqi.

 

SHKARKO APP