Nagelsmann mohon zërat që e shohin trajner të Bayernit
Situata te Bayern Munchen nuk është e qetë dhe po shkruhet çdo ditë për një largim të mundshëm të Hansi Flick, sidomos pas fjalëve të tij kur bavarezët u eliminuan nga PSG në Champions League.
Për t’i hedhur benzinë zjarrit ishte ish mbrojtësi i famshëm Lotthar Matthaus i cili zbuloi nga burimet e tij që Federata Gjermane e Futbollit i ka bërë një ofertë Flick për stolin e kombëtares dhe Bayerni ka kontaktuar Julian Nagelsmann.
Ky i fundit po bën shumë mirë në krye të Leipzig që tashmë është forcë e dytë në Bundesliga dhe në daljen e radhës në media u detyrua të përgënjeshtrojë lajmet për një kalim te Bayerni në verën tjetër.
“Nuk kam patur asnjë bisedë apo kontakt me askënd nga Bayerni, nuk e kam idenë se ku e ka marrë një informacion të tillë Matthaus”, tha Nagelsmann teksa shtoi se ai ndihet mire dhe i vlerësuar nga drejtuesit e Leipzig.
Nuk është hera e parë që flitet për ndryshime të mëdha te bavarezët por sapo Joachim Low njoftoi se do të largohej pas Europianit nga drejtimi i Gjermanisë nisën zërat për Flick si pasuesin e tij. Eliminimi në Champions I Bayernit të Mynihut duket se sapo ka përshpejtuar largimin e Flick që për më tepër ka edhe raporte jo të mira me drejtuesit